Chelsea 82 milion euro per Fernando Torres

 

Çelsi është gati të paguajë 82 milionë euro (70 milionë sterlina) për të afruar në “Stemford Brixh” Fernando Torres. Kjo shifër, e cila do të ishte thuajse sa dyfishi i rekordit të transferimeve në Premiershipin anglez, do të përdoret për të mposhtur konkurrencën e Mançester Sitit për sulmuesin spanjoll. E përditshmja “Daily Mail” theksonte se negociatat paraprake mes dy klubeve kanë nisur, madje ato kanë qenë aq pozitive sa Roman Abramoviç është bindur që të paguajë shifrën marramendëse për 26-vjeçarin. Merkato me shifra të “çmendura” nga pronari i bluve cilësohet e papritur edhe për faktin se prej largimit të trajnerit Zhoze Murinjo (më 20 shtator 2007), manjati rus nuk ka bërë asnjë shpenzim të ekzagjeruar. Por, suksesi dhe stabiliteti që solli trajneri Karlo Ançeloti, duke krijuar një lojë ofensive të cilën Abramoviç e vlerëson, e kanë bindur njëshin e klubit që të bëjë një tjetër blerje të madhe. Me një fitore në shtëpi përballë Uiganit, Çelsi do të fitojë titullin e tretë në kampionatin anglez nën drejtimin e Abramoviç. Londinezët kanë shansin të fitojnë edhe FA Cup, në finalen që do të luajnë gjatë fundjavës pasardhëse përballë Portsmuth. Nëse e mbyll sezonin me dy trofe, drejtuesit e klubit do të kërkojnë të rrisin cilësinë në skuadër, në mënyrë që të jenë pretendentë për të triumfuar në edicionin e ardhshëm të Champions League.

Historia ka treguar se te Çelsi nuk kanë frikë të kërkojnë yjet e Liverpulit. Në vitet 2005 dhe 2006, ata ishin fare pranë firmës me kapitenin Stiven Xherard. Por, në rastin e Fernando Torres, blutë janë të sigurt se nuk do të dështojnë në afrimin e lojtarit që është përfshirë në formacionin më të mirë në botë për dy sezonet e fundit, e që në vitin 2008 u rendit pas Kristiano Ronaldos dhe Kakasë në çmimin “Lojtari më i Mirë në Botë”. për shkak të situatës kaotike të krijuar në “Anfilld Roud”, frika se Torres mund të largohet në verë nga Liverpuli ekziston. Lojtari u transferua në verën e vitit 2007 nga Atletiko e Madridit për 23.5 milionë euro (20 milionë sterlina) dhe ka rezultuar si një prej blerjeve më të goditura të Rafa Benitez. Gjatë sezonit të kaluar, ai rinovoi kontratën me “Reds” edhe për 4 vjet, ndërsa nga marrëveshja e re përfiton 129 mijë euro (110 mijë sterlina) në javë. Megjithatë, situata te Liverpuli ka ndryshuar në mënyrë të dukshme: trajneri Rafa Benitez nuk e ka të sigurt vendin, pronarët e klubit po kërkojnë një blerës dhe skuadra rrezikon seriozisht të mos luajë në Champions gjatë sezonit të ardhshëm. Benitez ka bërë të ditur se Torres kushton mbi 80 milionë euro, ndërsa krerët në “merisajd” këmbëngulin se nuk do ta shesin elementin kryesor të skuadrës.

Gjithsesi, sulmuesi kërkon një trofe të rëndësishëm në rang klubesh dhe zhgënjimet me Liverpulin po e detyrojnë të shqyrtojë alternativat. Suksesi i tij i vetëm në karrierë është triumfi në Kampionatin Europian me Spanjën në vitin 2008, ku realizoi edhe golin e fitores në finale. Por, shqetësimi më i madh për sulmuesin në këto momente është gjendja fizike dhe dëshira për t’u rikuperuar në kohë për të luajtur në Botërorin 2010. Dëmtimi në gju ende nuk është kaluar plotësisht dhe sipas mjekëve të Liverpulit, lojtari nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të “furisë së kuqe” në Afrikën e Jugut, më 16 qershor kundër Zvicrës