Ethet e rlojrave te rrjetit Social.

Ethet e rlojrave te rrjetit Social.

Do të ishte më mirë të merresha me bujqësi apo të hapja një restorant? Të qetësohesha duke parë një akuarium me peshq, apo të vija baste për një shumë të madhe të hollash në poker? Me cilën nga këto lojëra të luaj? Ose më saktë me cilën nga këto lojëra të rrjetit social mund të luaj? Që kur u shfaq në skenë “Facebook”-u, edhe lojërat nuk janë më të njëjtat. Nga lojëra të papreferuara që ishin, janë bërë më të bukura dhe tërheqëse. Mund të luash online me miqtë e tu dhe miqtë e miqve, duke ndihmuar njëri-tjetrin se herë është nevoja. Avantazhi i këtyre lojërave është se mund të njihesh me njerëz nga e gjithë bota.

Oborri i shtëpisë
Për të parë rëndësinë e këtyre lojërave të rrjetit social mjafton të bësh një xhiro në fermën virtuale të “Farmville”, që duke klikuar faqen e “Facebook”-ut ka bërë për vete në pak muaj 83 milionë persona në botë. “Farmville” është një lojë, qëllimi i së cilës është krijimi dhe kujdesi për një fermë. Për të luajtur mjafton të regjistrohesh në një rrjet social (konkretisht “Facebook”, ose “MySpace”) dhe të shkarkoni lojën që dëshironi. Nuk ka ndonjë filozofi të madhe: mund të luajë me videolojëra edhe ai që nuk ka guxuar ta bëjë më parë. Në fakt ndryshe nga ato realet, perimet virtuale kanë nevojë vetëm për pak kujdes dhe ndonjë klikim. Pastaj ai që ndodhet në vështirësi mund të mbështetet te ndihma e “fqinjëve”, ose më saktë miqtë e “Facebook”-ut, që edhe ata janë pjesë e lojës. Janë ata sekreti i suksesit të “Farmville”: kjo lloj loje është krijuar në atë lloj mënyre që të kujdesen të tjerët për tokën dhe fermën tuaj e të pjesëtarëve të tjerë kur ju jeni online. Sa më shumë miq të keni, aq më i mirë është pozicioni juaj në klasifikimin e lojës.

Lidhjet
“Mundësia e bashkëpunimit me fqinjët është pikërisht avantazhi që i bën lojërat e rrjetit social më të bukura dhe tërheqëse në krahasim me ato që ishim mësuar të luanim deri tani”, shpjegon një docent psikologjie dhe komunikimi në Universitetin e Milanos. “Në fakt kur luajmë jemi të prirur të kënaqim nevojat tona. Lojërat e rrjetit social, përveç nevojës që kemi për t’u ndier të realizuar, duke provuar aftësitë tona, tipike e të gjitha videolojërave, të lejojnë të kënaqësh veten dhe të tjerët. Fakti që mund të ndihmojmë miqtë e ngushtë të arrijnë rezultate të kënaqshme, forcon lidhjet sociale”.

Më thuaj si luan dhe…
Edhe pse është një nga lojërat më të famshme “Farmville” nuk është loja e vetme e rrjetit social. Mbi 300 milionë persona kanë zgjedhur të luajnë me “Cafe World”, një restorant virtual, ku duhen përgatitur dhe shërbyer simite. Të tjerë i janë përkushtuar “Zygna Poker”, lojës poker. Natyrisht që në rrjetet sociale mund të gjesh lojëra nga më të ndryshmet dhe për të gjithë tipat e njerëzve: një nga lojërat më të njohura të rrjetit social (dhe tepër të diskutuara) është “Mafia Wars”, që rezulton të jetë loja më e preferuar për 25 milionë të regjistruar në “Facebook”. Kjo lojë konsiston në arritjen e numrit më të madh të miqve, për të formuar më pas një bandë gangsterësh kriminelë me bazë në Itali. Një lojë tjetër është që të kujdesesh për një kafshë, duke i gjetur një ambient të rehatshëm për të jetuar. A keni dëgjuar ndonjëherë për dy peshq “rivalë”? Ndoshta ju duket për të qeshur, por është e vërtetë, madje janë protagonistë të dy lojërave “rivale” të rrjetit social: “Happy Acquarium” dhe “Fishville”, të dyja me nga 20 milionë fansa në “Facebook”. Por këto dy lojëra nuk janë të vetmet: “Cafe World” është “rivale” me “Restaurant City”, ndërsa “Farmville” me “Farm Town” dhe “Country Life”.

Zbavitja
Sipas një studimi të publikuar nga “Popcap Game” dhe të realizuar në Shtetet e Bashkuara dhe Britani, 55 për qind e lojtarëve të rrjetit social janë femra. Mosha mesatare e tyre është 43 vjeçe. Në Shtetet e Bashkuara 46 për qind e lojtarëve është mbi 50 vjeç, ndërsa vetëm 6% janë në moshën 20 vjeç.

95 për qind e të intervistuarve luan shumë herë në javë dhe në 61% të rasteve një lojë zgjat 30 minuta (vetëm 10% e lojtarëve arrijnë të rezistojnë deri në tri orë). 53 për qind luajnë që të argëtohen, 45% që të çlirohen nga stresi, 43% që të zënë kohën e lirë dhe 32% që të ushtrojnë mendjen. Por ka edhe nga ata që i përdorin lojërat e rrjetit social për të qëndruar në kontakt me miqtë (24%).

Në fakt, në bazë të lojërave të rrjetit social qëndron miqësia. 62 për qind e njerëzve preferojnë më shumë të luajnë me miqtë e tyre, sesa me të huaj, ndërkohë që 57 për qind e lojtarëve kanë mësuar për ekzistencën e lojërave vetëm pasi kanë marrë ftesën e një miku që ta provojnë dhe nuk kanë reshtur më: 39 për qind e të intervistuarve praktikojnë nga 3 deri në 5 lojëra.

Miliona
Ajo që të bën vërtet përshtypje nuk është përhapja e lojëra (të lindura para tre vjetësh, më 2007-n), sesa numri i individëve që luajnë: vetëm duke mbledhur të regjistruarit e parë në 20 lojërat e “Facebook”-ut, fenomeni do të prekte mbi 330 milionë lojtarë në të gjithë botën. Një shifër ekuivalente me banorët e SHBA-së dhe Kanadasë. Sipas revistës “Business Week”, brenda vitit 2012, fitimi i lojërave të rrjeteve socialeve do të ketë 3.6 miliardë dollarë. Por si ia bëjnë këto lojëra të gjenerojnë kaq shumë të ardhura? Thjesht duke shfrytëzuar formulën “freemium”, ose më saktë i tërheqin njerëzit ngaqë janë falas, më pas u propozojnë lojtarëve të blejnë me të vërtetë ato produkte me të cilat i tërheqin.