Ishujt, pasioni i njerezve

Ishujt, pasioni i njerezve

Ekzistojnë ishuj në të cilët do të donim të ktheheshim dhe të tjerë nga të cilët do të donim të iknim. Ishuj fluturues e të tjerë të fundosur, nga ata që të bëjnë të ëndërrosh e nuk të lënë të flesh. Ishuj të humbur dhe nga ata që do të kishte qenë më mirë të mos i kishe gjetur kurrë… Të lidhur ngushtë me historinë e njerëzimit (që nga Shën Elena te Falkland) ishujt janë pothuajse që prej 3 mijë vjetësh frymëzim për njerëzit e letrave, ëndrra e miliona njerëzve, skenari më i kërkuar për një film dhe dokumentar televiziv. Gjithashtu, janë edhe laboratorët ku mund të eksperimentosh modele të reja të shoqërisë, apo ku mund të tregosh që nuk ka alternativa ndaj shoqërisë në të cilën jetojmë.
Ishujt janë pjesë e imagjinatës kolektive, në bagazhin tonë kulturor janë vendi simbol i lirisë, arratisjes, i shkujdesjes, por edhe i burgimit, ankthit dhe vetmisë.

“Jo rastësisht, dyfishtësia, ose më saktë bashkekzistenca e elementeve kundërshtues, karakterizon shumë ishuj të tregimeve, me një anë mikpritëse e fetare dhe anën tjetër të shëmtuar e të tmerrshme”, pohon një pedagog letërsie. Ishujt janë dete dhe kontinente, mistere dhe dashuri klandestine; janë mishërimi i dëshirave dhe frikës sonë më të thellë. Për këtë arsye, edhe kryeveprat si “Robinson Kruso” i Daniel Defo, “Stuhia” e William Shakespeare, apo “Odisea” e Homerit, vazhdojnë të jenë edhe sot bestsellerët më të mirë. Ndaj, imagjinarë apo të vërtetë, ishujt vazhdojnë të frymëzojnë filma, këngë (nga “Ishulli që nuk ekziston” i Edoardo Benatos, te “La isla bonita” ‘Ishulli i bukur’ i këngëtares Madona), reklama, filma vizatimorë e madje dhe videolojëra.
“Lost” (“Të Humburit”), seriali televiziv amerikan që tregon peripecitë e një grupi të rinjsh, të cilët kanë mbijetuar nga një aksident ajror në një ishull tropikal, pati një sukses të jashtëzakonshëm, aq sa arriti të bindte producentët për të vazhduar xhirimet deri në fund të 2010-s.

Ishujt e parë që përmenden në letërsi janë ata që përshkroi Uliksi në udhëtimet e tij. “Nëse Itaka është vendi i origjinës dhe gjysma e lakmuar, ishuj të tjerë nga zëra të ndryshëm do ta vështirësonin rrugën e heroit e do ta mbushnin me të papritura e kërcënime. Ishujt homerikë, përveç pretekstit për ta bërë më tundues udhëtimin, janë një metaforë e jetës që e bën “Odisenë” një shembull të letërsisë “ishullore”.

Si Uliksi, ashtu edhe mjeku Lemuel Gulliver, shumë shekuj më vonë do të përballej me shumë telashe nëpër ishuj. “Udhëtimet”, kryevepra e anglezit Jonathan Swift (1667-1745), nxorën në pah meskinitetin dhe veset e këqija njerëzore. Ishujt, ku në libër përshkruhen me detaje, janë një mënyrë për të denoncuar shoqërinë e epokës: Laputa është toka fluturuese e shkencëtarëve që nuk interesohen për problemet e përditshme; Liliput dhe Blefesku, populluar nga burrat në miniaturë, janë alegori të besimeve të ndryshme fetare.

Në vitet 1800, ishujt u bënë aventura të vërteta. “Konti i Monte Kristos” nga Aleksander Dyma (1846) dhe “Ishulli i thesarit” nga Robert Stivenson (1883), janë vepra të mbushura me të papritura e drama nga më të pabesueshmet. Që në atë kohë, parajsat e deteve u bënë pak nga pak makthe, “cekëtina të mallkuara, mbi të cilat humbasin përfundimisht ëndrrat e pafajësisë”. Ishulli i “Piter Panit” që nuk ekziston është një tjetër ishull i famshëm i letërsisë, i krijuar këtë herë për fëmijët që nuk rreshtin së fantazuari dhe nuk tremben prej ligjeve të rrepta të ekzistencës, por nga ana tjetër është edhe një ishull që jetohet nga sirenat e këqija. Me pak fjalë, siç thotë edhe emri, është një ishull që nuk ekziston.

Vijmë në një tjetër kohë e në të tjerë ishuj. Më 1929-n, David Laurens shkroi librin e titulluar “Njeriu që adhuronte ishujt”. Fliste pikërisht për një burrë që ëndërronte të kishte një ishull të vetin dhe të ishte zot i tij i padiskutueshëm. Në kërkim të ishujve gjithnjë e më të vegjël, njeriu do të presë vdekjen në një shkëmb pranë detit. Për ishujt kanë folur e shkruar shumë dijetarë. I pari që foli për ta ishte Platoni. Në vitin 360 para Krishtit, filozofi tregoi për një kulturë të fuqishme të përhapur në një ishull që quhej Atlantida, zhdukur 9 mijë vjet më parë për shkak të një katastrofe. Miti i tij “infektoi” për shekuj letërsinë, duke shtyrë madje edhe shkencën që të interesohej për ekzistencën e tij. Por fillimisht Atlantida është një ishull i humbur, simbol i nostalgjisë dhe çrrënjosjes së njeriut.
E ngjashme me Atlantidën është ishulli i Utopisë i Tomas More (1516), edhe ky i humbur, sepse nuk ka ekzistuar kurrë. “Modeli i Utopisë është ai i një qyteti-shtet, i organizuar në mënyrë perfekte në bazë të parimit të barazisë, ku pasuria nuk ekziston, ari përdoret për të bërë vazo, luksi është qesharak, ndërsa puna dhe dashuria janë të përhapura kudo”, pohon pedagogu. Pra një botë pa defekte, një ide e pamëkatë qeverisjeje, aq popullore sa për të hyrë në fjalor si sinonim i aspiratave të parealizueshme.