Me pushke ne shkolle se e fyen mesuesit

Me pushke ne shkolle se e fyen mesuesit

Një nxënës i klasës së nëntë ka terrorizuar me një armë zjarri bashkëmoshatarët dhe mësuesit e shkollës “Liri Kazazi” në Lushnjë, pas një konflikti me dy mësues të kësaj shkolle. Fëmija mori në shtëpi një pushkë që i ati e mbante pa leje dhe nisi të shtinte në ajër në oborrin e shkollës, duke kërcënuar dy mësuesit me të cilët ishte zënë pak minuta më parë. Policia e ka administruar ngjarjen që në momentet e para dhe për të zbardhur rrethanat, ka shoqëruar dy mësuesit, si dhe ka nisur procedimin penal jo vetëm për autorin e mitur të kësaj ngjarjeje, por edhe babain e tij.

Debati me mësuesit
Ngjarja ka ndodhur dje paradite, ndërsa ishte duke u zhvilluar ora e dytë e mësimit. D. Çekrezi, nxënës i klasës së nëntë, ka debatuar me mësuesin kujdestar, Ibrahim Sina. Ky i fundit, duke parë natyrën e shkathët të Çekrezit, si dhe duke konstatuar edhe numrin e lartë të mungesave, i ka kërkuar të ndryshonte sjellje. Por pasi i kishte tërhequr vërejtje nxënësit, në pushimin mes orës së parë dhe të dytë të mësimit, mësuesi gjeti të shkruara në dërrasën e zezë të klasës fjalë jo të hijshme. Mësuesi kujdestar i ka kërkuar D. Çekrezit të fshinte dërrasën, por kjo kërkesë e bërë me ashpërsi e ka irrituar 14-vjeçarin, i cili nuk ka pranuar. Mosbindja e nxënësit e ka detyruar mësuesin ta nxjerrë nga klasa djalin dhe t’i kërkojë që të vinte të nesërmen me prindin”, tregon një bashkëmoshatar i 14-vjeçarit. Por debati mes nxënësit dhe mësuesit kujdestar nuk ka mbaruar brenda në klasë dhe është acaruar në korridoret e shkollës. Pasi nxënësi e ka fyer mësuesin, ky i fundit ka kërkuar përjashtmin e tij nga shkolla. Në debat është përfshirë rastësisht edhe mësuesi i Edukimit Fizik në këtë shkollë Sokol Tushi, çka e ka acaruar edhe më shumë fëmijën. Debati me tone të ngritura mes dy mësuesve dhe nxënësit të klasës së nëntë ka tërhequr vëmendjen e të gjithë shkollës. Burimet nga shkolla shprehen për gazetën se D. Çekrezi ka tentuar të qëllojë me mjete rrethanore në drejtim të mësuesve.

Kërcënimi me armë
Pas konfliktit në shkollë, fëmija është larguar dhe ka shkuar në shtëpinë e tij, vetëm 500 metra më larg. Prej andej, 14-vjeçari ka marrë një pushkë gjysmëautomatike model 56 dhe që nga oborri ka shtënë në drejtim të godinës së shkollës. Nxënësit dhe mësuesit janë alarmuar dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, që është gjendur në vendngjarje brenda pak minutash. Por me të dëgjuar nga larg sirenat e policisë, i mituri është larguar me vrap. Ai ka fshehur armën dhe më pas ka shkuar në banesën e tij, ku policia arriti ta arrestonte vetëm tri orë pas ngjarjes, pasi e kishte kërkuar në vende të tjera. Menjëherë pas ndalimit, D. Çekrezi ka treguar edhe vendin se ku kishte fshehur armën, si dhe ku e kishte gjetur. Pas marrjes në pyetje, policia mundi të gjejë armën, në shtëpinë e një shoku të nxënësit problematik, ndërsa shoqëroi në komisariat edhe nxënësin tjetër. Policia ka shoqëruar në mjediset e saj edhe dy mësuesit e përfshirë në këtë ngjarje, si dhe babain e 14-vjeçarit. Shefi i Komisariatit të Lushnjës, Latif Kulla, tha se i mituri është arrestuar dhe do të ndiqet nga autoritetet përkatëse për moshën e tij, ndërsa edhe për të atin ka nisur procedim penal, pasi arma që mbante në shtëpi ishte pa leje.

Versioni i fëmijës
Ndërkohë, burime policore treguan edhe disa detaje të dëshmisë së të miturit, i cili pretendon se mësuesit e kishin ofenduar dhe poshtëruar. “Mësuesi kujdestar më acaroi me mënyrën se si ma kërkoi që të fshija dërrasën e zezë. Nuk ka fare takt dhe nuk do të dijë nëse lëndohem unë apo jo. Ka më shumë se dy vjet që ai më quan ‘bir kurve’”, mësohet të ketë thënë i mituri gjatë marrjes në pyetje, ndërsa ka shtuar se edhe dje, mësuesi kishte përdorur të njëjtën mënyrë për ta fyer, si dhe e kishte kërcënuar. Ndërkohë, fëmija ka thënë gjithashtu se nuk kishte ndërmend të vriste njeri, por donte vetëm t’i trembte mësuesit që silleshin keq me të. Ngjarja konsiderohet si më e rënda e ndodhur në mjediset shkollore të Lushnjës. Kujtojmë se arma e zjarrit është përdorur një vit më parë edhe në shkollën e Zhupanit në Fier, ku një e mitur u plagos nga shoqja e klasës me një pistoletë stilolaps.