Sa me shume lengje ne stinen e veres.

Sa me shume lengje ne stinen e veres.

Stina e verës po afron dhe dëshira e të gjitha femrave është të kenë një trup perfekt. Përveç ushqimeve të lehta dhe të shëndetshme, këshillat e specialistëve fokusohen te pijet që konsumojmë. Të gjithë e dinim se konsumi i më shumë se tetë gotave ujë në ditë është mënyra më e mirë për të purifikuar trupin, por një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe çajit, sidomos atij jeshil dhe lëngjeve të freskëta e të ftohta të frutave. Të gjitha së bashku do të na ndihmojnë të shuajmë etjen e verës së nxehtë, por mbi të gjitha për një shëndet perfekt.

“Ajo i ka gjethet shumë të vogla, por ka veti magjike. Kjo është bima e çajit”. Në fakt, ky është epiteti që i është ngjitur nga studiuesit dhe njerëzit që për vite me radhë studiojnë vetitë e mrekullueshme të tij. Ashtu si verërat, çdo mjeshtër i tij mund të tregojë përzierje origjinale dhe sekrete. Por në krahasim me verën, çaji ka disa avantazhe: nuk të shëndosh. Përkundrazi, çaji jeshil është ideal për djegien e kalorive dhe mund të pihet në çdo lloj ore të ditës. Po ashtu, edhe përbërësi i tij, teina, ndihmon në arritjen e një gjendjeje eksituese. Mund të kënaqemi duke ndjekur shembullin e anglezëve nga “english breakfast” e “afternoon tea” dhe deri te “high tea”. Po sikur të pish çdo darkë nga një gotë me një lugë mjaltë? Provojeni që ta besoni. Mbyllini sytë dhe kujtoni një proverb të vjetër që thotë: “Më mirë tri ditë pa ushqim, se sa një ditë pa çaj”. I shëndetshëm dhe padyshim eliksir i jetëgjatësisë. Mjafton vetëm ta provosh. 
Uji dhe lëngjet e frutave
Edhe pse kanë kaluar shumë vite që nga koha e tyre dhe sot ato çka të ofron tregu nuk të lënë të kthehesh pas në kujtime apo shije, askush prej nesh nuk mund t’i harrojë të famshmet arançata, që nuk kushtonin më shumë se shtatë lekë. Ishin pikërisht ato të vetmet dhe të parezistueshmet që na shuanin etjen dhe na freskonin në pikun e vapës. Sigurisht që atëherë nuk ekzistonte as “Coca Cola” dhe as “Red Bull”, megjithatë tani që mundemi të bëjmë krahasime për shijen, nuk e ekzagjerojmë aspak nëse themi se mund t’ia kalonte pa frikë që të dyjave. Arançatat i përkasin një kohe tjetër, sepse tani është më mirë ujë dhe lëng i freskët frutash. Për studiuesit, 8 gota ujë në ditë janë të domosdoshme kundrejt tri ose katër me lëng të freskët frutash. 
Për ta, të konsumosh sa më shumë ujë dhe lëngje frutash të përmirëson dhe zgjat jetën. Kështu, përveçse janë të pasura me të gjitha vitaminat e nevojshme për të mbajtur trupin në formë dhe janë të këshillueshme për të gjitha moshat, disa prej tyre janë gjithashtu edhe një aleat i çmuar për të na mbrojtur nga sëmundja Alzheimer, ose ndryshe forma më e përhapur e demencës së pleqërisë. Sipas një grupi shkencëtarësh të “Vanderbilt University Medical Center” në Tenese, që kanë kryer një studim të gjerë epidemiologjik, i cili është botuar në revistën “The American Journal of Medicine”, zakoni për të pirë të paktën tri herë në javë lëngje frutash ndihmon në një reduktim prej 76 për qind të rrezikut për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimer. Kështu, lidhja e bërë në të kaluarën mes disa vitaminave me fuqi antioksiduese (Vitamina C, E dhe A) kundër demencës së pleqërisë më pas u përgënjeshtrua dhe vuri në dyshim një numër të madh studimesh. Ekspertët e “Vanderbilt University Medical Center” në Tenese i drejtuan studimet duke hedhur hipoteza mbi efektin mbrojtës të lëngjeve të frutave, duke mos iu referuar polifenoleve dhe substancave antioksiduese, por vitaminave të ndryshme të pranishme mbi të gjitha te çaji, lëngjet e frutave dhe te vera. Alzheimer është një sëmundje që prek trurin dhe që me kohën “përpin” kapacitetin konjektiv të atyre që preken nga kjo sëmundje, duke dhënë efekte “vrasëse” mbi kujtesën, madje arrin deri aty sa të shkatërrojë edhe autonominë e vetë individit. Në sëmundjen e cilësuar si shumë komplekse, një ndër shkaqet kryesore për lindjen e saj është edhe stili i shthurur dhe i çrregullt i jetesës. Një ushqyerje e shëndetshme me siguri që bën pjesë në mënyrat që kemi në dispozicion për t‘u mbrojtur nga kjo e sëmundje të tjera. Dietologët e specialistët e ushqimit duket se nuk do të pushojnë kurrë së na kujtuari që në një dietë të balancuar duhet të gjejnë patjetër hapësirë frutat dhe perimet. Për vite e vite me radhë janë bërë studime të ndryshme për të parë efektin potencial të vitaminave kundër sëmundjeve si 
Alzheimer dhe kanceri, por pa arritur asnjëherë në rezultate përfundimtare. Kështu, ekspertët, të drejtuar nga kërkuesi LI Dai, kanë dashur të shikojnë se mes ushqyesve të ndryshëm lëngjet e frutave dhe perimet mund të shërbejnë si mbrojtës për sa i përket sëmundjes së demencës. Kështu ata përfshinë në një studim pak më shumë se 1900 individë, persona të shëndetshëm dhe i ndoqën thuajse për një dhjetëvjeçar, duke monitoruar stilin e jetesës dhe shëndetin e çdonjërit prej tyre. Duke mos lënë pas dore shumë faktorë që mund të kenë influencë në rrezikun e zhvillimit të sëmundjes në vite (për shembull duhani, tipi i dietës etj.), ekspertët treguan se edhe konsumi i lëngjeve ka një peshë të madhe për të reduktuar rrezikun e shfaqjes së Alzheimer. Ata që konsumonin tri ose më shumë gota në javë, u pa se reduktonin me 76 për qind mundësinë për t’u sëmurë, në krahasim me ata që pinin një ose më pak gota me lëngje gjatë gjithë javës. Pastaj lëngjet përmbajnë një përqindje të mirë polifenolesh dhe antioksiduesish, ndryshe nga disa vitamina që janë të pranishme vetëm në disa lloj ushqimesh, si për shembull rrushi. Ekspertët po mendojnë gjithashtu të drejtojnë studimet e ardhshme, me qëllimin për të parë nëse konsumatorët e mëdhenj të pijeve me bazë frutash dhe perimesh kanë në gjak nivele të larta polifenolesh dhe nëse nivelet e këtyre përbërësve ndikojnë në rrezikun e uljes së Alzheimerit. Një tjetër objektiv, tregojnë ekspertët, do të jetë mënyra për të kuptuar se cila nga të gjitha lëngjet e frutave ka efekt më të madh për të larguar rrezikun e sëmundjes. Gjithashtu, sipas kërkuesve amerikanë, një tjetër faktor që ndikon në uljen rreth 40 për qind të rrezikut është edhe sporti. Kështu, te të moshuarit mbi 60 vjeç, rreziku i kësaj sëmundjeje reduktohet me 40 për qind, nëse u nënshtrohen aktiviteteve fizike. Për këtë mjaftojnë disa ekskursione më këmbë në fshat, ose disa seanca të shkurtra aerobie, por edhe noti dhe streçingu.