Stresii

 Stresii

Në mes është virtyti, por edhe lumturia, mungesa e shqetësimeve dhe stresit. Në fakt, në moshën 50-vjeçare, periudhën e tretë të jetës, shëndeti psikologjik është më efektiv se sa para njëzet vjetësh: ndryshon drejtim dhe fillon të rritet. Rigjetja e rinisë në moshën 50-vjeçare është matur nga një ekip psikologësh të universitetit “Stony Brook University” në Nju Jork dhe është publikuar në revistën shkencore “Proceedings of the national academy of sciences”. Studimi është pjesë e një drejtimi relativisht të ri të psikologjisë, i cili kërkon të përcaktojë nëse është e mundur, lumturinë, mirëqenien dhe emocionet. Psikologët njujorkezë kanë intervistuar 340 mijë persona, të gjithë amerikanë, nga mosha 18 deri në 85 vjeç. Përveç kërkesës për të bërë një bilanc të përmbledhur të jetës së jetuar, ata janë interesuar edhe për gjërat e vogla të përditshme. Studiuesit i kanë pyetur “kaviet” për shembull nëse kishin ndier stres, inat, gëzim, shqetësim dhe trishtim një ditë më parë.
Mosha e “kthesës”, kur ndjenjat negative fillojnë të bien, ka rezultuar periudha e “gjysmëshekullit”. “Pas të pesëdhjetave, amerikanët tregojnë një rritje të mirëqenies së përgjithshme psikologjike, falë rritjes së ndjesive pozitive dhe niveleve më të ulëta të emocioneve negative”, shkruajnë psikologët në studimin e tyre. Studiuesit i kanë vënë re shkaqet e gjetjes së ekuilibrit te 50-vjeçarët (natyrisht bëhet fjalë për një pjesë të madhe të statistikave), pasi personat që i janë nënshtruar studimit ishin stabilizuar në punë (pra kishin gjetur një punë definitive), paguheshin mirë dhe kishin një familje të shëndoshë me fëmijë të rritur. Në fakt nga studimet e mëparshme është shpjeguar në mënyrë të detajuar se si truri ndryshon me kalimin e viteve dhe është i prirë të përzgjedhë përvojat e kujtimet me kritere të ndryshme.

“Një grup 70-vjeçarësh i jetonin më me kthjelltësi kujtimet pozitive, ndërsa te të rinjtë (mosha mesatare e grupit të marrë në ekzaminim ishte 24 vjeç), ishin më të pranishme ngjarjet dhe përvojat negative”, ka thënë para dy vitesh një studiues nga universiteti “Duke”.

Një studim i universitetit “Iowa”, i publikuar në revistën “Gerontology”, në muajin prill, theksonte se edhe te 80-vjeçarët, sekreti i lumturisë është një kujtim i bukur, apo një ngjarje e lumtur në të kaluarën, që sot mund të ndahet me fëmijët dhe nipërit.

Të gjitha studimet shkencore të mbledhura së bashku kanë dalë në një përfundim: “Që me kalimin e viteve është zbuluar se përbërësi kryesor i mirëqenies psikologjike fshihet te gjërat e vogla të jetës së përditshme”. “Janë pikërisht ata përbërës që u mungojnë individëve, të cilët fitojnë shumë para”, shpjegon psikologu Daniel Kahneman, fituesi i çmimit “Nobel” për ekonominë në vitin 2002, i cili është nderuar me këtë çmim për studimet mbi “matjen” e kënaqësisë së jetës. Motivi, siç u vërtetua dhe para një viti, nuk është fitimi i parave, por cilësia e jetesës.

Psikologët njujorkezë kanë vërtetuar këtë herë se ndërsa zemërimi ulet në mënyrë të vazhdueshme, nga mosha 20-vjeçare e në vazhdim, ndjesia e shqetësimit rritet deri në moshën 50-vjeçare, për të rënë më pas dhe për të vazhduar tatëpjeta gjatë gjithë jetës. Reduktimi i stresit ka një anim të vogël deri në moshën e mesme, më pas fillon të bjerë ndjeshëm. Momentet e trishtimit e ndriçojnë jetën në të gjitha fazat e saj, pa ndonjë dallim midis 20 dhe 50-vjeçarëve. Për sa i përket zbavitjes, 20-vjeçarët janë në një nivel me 70-vjeçarët: te të dyja këto grupmosha regjistrohet një kulm, edhe pse gjërat që shkaktojnë të qeshurat janë çështjet ose shakatë e ndryshme. Në krahasim me meshkujt, femrat i jetojnë në mënyrë më të theksuar ndjesitë negative të stresit, shqetësimit dhe melankolisë. Por edhe për to ekziston ndryshimi i tendencës dhe mosha e mesme është si një fillim i ri.