Të çmendur pas arit

Deri dy vjet më parë, asnjë investitor nuk shqetësohej shumë për metalin e verdhë. Të gjithë ishin të përqendruar te titujt e bursës. Sot, ndërkohë, një pjesë e madhe e tregtarëve ka rimarrë zakonin e vjetër, duke preferuar që t’i rikthehet formës më antike të investimeve në botë, pasi frika që kanë nga krizat e njëpasnjëshme bankare, rënia ekonomike në SHBA, rënia e dollarit dhe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, energjisë elektrike e gazit po paralajmëron për kohë të vështira

“Bota” e arit rri me “gjak të ngrirë” dy herë në ditë: në orën dhjetë e gjysmë të mëngjesit dhe në tre të pasdites. Pikërisht në këto orë, në City të Londrës përcaktohet kuota e metalit të verdhë. Që prej brezash të tërë, këto orë përbëjnë një takim të përditshëm për të gjitha tregjet e metaleve të çmuara në mbarë botën. Çmimi i arit është përcaktuar si më i rëndësishmi që në vitin 1919, por në atë kohë lajmi nuk dilte shumë shpesh nëpër gazeta. Arsyeja ishte se variacioni i çmimit ishte shumë i vogël. Ndërsa sot, spekulatorët i ngrenë e i ulin çmimet në mënyrë marramendëse. Veteranët dhe vëzhguesit më të moçëm të “orëve” të arit, nuk mbajnë mend më parë një periudhë të tillë si kjo e sotmja, e karakterizuar nga një tendencë rritjeje e shfrenuar. Brenda 6 muajsh, çmimi i arit është rritur me një të tretën e tij, ndërsa në mars tejkaloi për herë të parë kufirin e 1000 dollarëve. Ajo që po ndodh nuk mund të shpjegohet dot nga një këndvështrim racional. Ari, që prej një kohe të gjatë ka përfaqësuar investimin e sigurt të baballarëve. Deri dy vjet më parë, asnjë investitor nuk shqetësohej shumë për metalin e verdhë. Të gjithë ishin të përqendruar te titujt e bursës. Sot, ndërkohë, një pjesë e madhe e tregtarëve ka rimarrë zakonin e vjetër, duke preferuar që t’i rikthehet formës më antike të investimeve në botë, pasi frika që kanë nga krizat e njëpasnjëshme bankare, rënia ekonomike në SHBA, rënia e dollarit dhe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, energjisë elektrike e gazit po paralajmëron për kohë të vështira. Ari të jep siguri, por përfaqëson edhe pasuri e pushtet. Në të gjitha kulturat e botës konsiderohet si një mall i çmuar. Mbretëritë dhe perandoritë më të mëdha të të gjitha kohërave janë ngritur mbi arin. Etja për metalin e verdhë i ka bërë njerëzit të ndërmarrin iniciativa të jashtëzakonshme. Ari është thesari botëror. Të arta janë edhe ëndrrat e legjendat, si ato që rrëfenin për një vend jashtëzakonisht të pasur me emrin Eldorado, ose legjendat e gralit të shenjtë, apo argonautëve që u nisën në kërkim të vellos së artë. Ari është një mit i njerëzimit. Me këtë mit jetojnë sot ende bixhozxhinjtë apo spekulatorët, tregtarët, bankat, menaxherët e ndërmarrjeve të mëdha, ata që prodhojnë ar, por edhe të varfrit që kalojnë jetën duke e kërkuar. E, megjithatë, duket se ari na qenka një mallkim. Për këtë metal të verdhë janë bërë luftërat dhe pushtuesit kanë zhdukur popuj të tërë. Kur Kristor Kolombi zbuloi botën e re, vrau të gjithë indigjenët vetëm e vetëm për t’iu marrë metalin e çmuar. Ai i dëshironte thesaret me një shkëlqim verbues të vendeve që sapo kishte zbuluar më shumë se çdo gjë tjetër. Dhe ishte pikërisht shkëlqimi i tyre që e kishte bërë të merrte një rrugë të gjatë e të rrezikshme. Vite më pas, zbuluesi Hernan Cortes zhduku gjithë astekët. Mbreti e kishte nisur me urdhrin për t’i sjellë ar nga rruga e gjatë dhe ai nuk mund ta merrte arin pa gjak. Për metalin e verdhë luftohet në thellësitë e minierave, ku jetët e njerëzve nuk kanë asnjë vlerë edhe sot. 4 mijë metra nën tokë, nën savanat e Afrikës së Jugut, nëpër akullnajat e Andeve, në minierat në qiell të hapur të Amazonës. Kur bëhet fjalë për arin nuk ka asnjë hezitim. Ai është shumë më i rëndësishëm se jeta e njeriut dhe ajo sakrifikohet pa asnjë problem në emër të lavdisë së verdhë që llamburit moskokëçarëse. Ari ka qenë gjithmonë i çmuar dhe i rrallë. Vazhdon të jetë edhe sot. Një nga arsyet është se atë mund ta nxjerrësh nga nëntoka vetëm pas vështirësish të mëdha. Pjesa tjetër e lavdisë së arit janë faktorë psikologjikë si frika, veçanërisht frika. 70% e sasisë së arit botëror ndodhet në vende ku jeta e një njeriu vlen shumë më pak se ai 1000 dollarësh që do të përftohej nga shitja e një cope ari të papërpunuar. Brutaliteti që shoqëron nxjerrjen e diamanteve në Afrikë është i njëjtë edhe me atë të arit. Për sa u përket rezervave të arit, ato që gjendeshin në sipërfaqe janë ezauruar. Sigurisht që ka ende shumë metal të çmuar në botë, por këto sasi ndodhen nën tokë dhe nga këndvështrimi ekologjik nxjerrja e arit nga nëntoka, apo nga nënshkëmbinjtë, është një shkatërrim i vërtetë. Kështu, për ta gjetur dhe marrë arin, ndërmarrjet që merren me nxjerrjen e tij, duhet që të hapin gropa me përmasa gjigante, madje aq të mëdha, saqë mund të shihen edhe nga kozmosi. Të gjitha përfitimet e nxjerra nga ari, që si për ironi të fatit ndodhet në vendet e varfra, përfundojnë në xhepat e vendeve të pasura. Varfëria, helmet dhe mjedisi i shkatërruar janë pasojat me të cilat përballen vetëm të varfrit. Janë ata që paguajnë me jetë unazat martesore të të pasurve.

Ethja e re e arit që ka rilindur sot, do ta përkeqësojë situatën. Kërkuesit e arit do të futen nëpër rajone, ku deri dje mendonin se nuk ia vlente barra qiranë që të rrezikonin. Lakmia për 1000 dollarë më shumë do të thërrasë në lojë gjithë gjuetarët e vjetër e të rinj të metalit të verdhë. Javët e fundit investitorët kanë grumbulluar sasi të jashtëzakonshme monedhash ari. Kjo vjen nga parandjenjat e këqija që kanë për tregun e aksioneve. Kuotimi i metalit të verdhë ka qenë gjithmonë një barometër i ekonomisë botërore. Nëse situata është e stabilizuar, atëherë edhe vlera e arit ndodhet në nivele mesatare. Por kur pritet mbërritja e një shtrëngate, investitorët e shqetësuar bëjnë që të ketë lëvizje e lëkundje të mëdha. Kështu, rekordi i ri në radhë të parë shpreh frikë, është tregues i mungesës së sigurisë. Kjo frikë ka përfshirë këtë herë një shtresë shumë më të madhe të popullsisë. Në të shkuarën ishin vetëm të pasurit ata që grumbullonin e depozitonin në arkëzat e tyre të sigurisë flori, ndërsa sot janë edhe ndërmarrjet e vogla apo investuesit e vegjël ata që e bëjnë një gjë të tillë.
Paraja në qarkullim

Të gjithë bien dakord në një gjë: kriza aktuale e tregjeve financiare botërore është shumë e rëndë. Ajo shpërtheu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend që aktualisht jeton mbi mundësitë e saj reale të jetesës. Një vend që vazhdon të konsumojë më shumë nga sa fiton dhe që ka grumbulluar një borxh prej 53 miliardë dollarësh. Gjithçka në kurriz të kreditorëve të tij. Në botë ka një sasi shumë të madhe parash në qarkullim. Për të siguruar një pasuri të tillë, investuesit duhet të kenë në radhë të parë besim. Sot pikërisht besimi është në rënie të lirë. Mungon besimi në aftësinë drejtuese dhe kontrolluese të bankave qendrore dhe ka gjithashtu një rënie të besimit edhe ndaj institucioneve të kreditimit, të kompetencës së tyre, duke qenë se çdo javë kryhen operacione shpëtimi për njërën, apo tjetrën bankë, ose fond. Kush do të mund ta kishte besuar kohë më parë se bankat do të kishin krijuar mes tyre një klimë të tillë mosbesimi sa të mos guxonin më t’i jepnin hua njëra-tjetrës. Kush do ta kishte besuar se një agjent i parëndësishëm francez këmbimesh do të kishte qenë në gjendje që të hidhte në erë 5 miliardë euro, duke i tronditur mbarë tregjet ndërkombëtare? Cila është përgjigjja? Përgjigjja është se diçka ka shpëtuar pa u kontrolluar. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që menaxherët e bankave, zyrtarët e lartë, apo edhe drejtorët e tyre të ishin në një gjendje të tillë çorientimi. Shkalla e inflacionit nuk ka qenë kurrë kaq e lartë në 14 vitet e fundit dhe llogaritë e kursimit duket sikur po e humbasin vlerën e tyre. Ndodhemi përpara një situate inflacioni galopant, ku një situatë e ngjashme në vitet ‘70 i çoi ekonomistët që të krijonin konceptin e stagflacionit. Edhe në atë periudhë, shumë investitorë iu rikthyen arit, si i vetmi mjet pagese i garantuar.
Sulmi në xhungël

Çdo lëvizje e tregjeve financiare është një lajm i mirë për punonjësit e sektorit të arit. Që prej muajsh, mijëra kërkues ari kanë nisur në mënyrë të paligjshme kërkimet e tyre nëpër xhunglat e botës, të shtyrë nga etja, por edhe nga nevoja për ar në këto kohë të errëta. Në lumin Sikini, në kufi me Brazilin dhe Guajanën franceze ka ar: 400 tonë ar. Ky është vlerësimi i ekspertëve. Pikërisht në Sikini ndodhet një ishull që i përket Brazilit. Është vendi më i rëndësishëm i furnizimit për kërkuesit e arit. Në të janë ngritur rreth 400 baraka druri, një pjesë e mirë e të cilave janë lokale dhe shtëpi publike. Ata që dalin të fituar nga rendja pas arit janë tregtarët, ndërmjetësit, shefat e shtëpive publike, apo biznesmenët e fuqishëm të Europës Perëndimore. Ishulli është vetë ferri në tokë: gërmuesit e arit punojnë të zhytur në baltë deri në gjunjë. Pjesa më e madhe sëmuret nga malarja apo nga sëmundje të tjera tropikale. Askush nuk largohet më dot nga xhungla. Pyjet që dikur mbulonin me gjelbërimin e hijet e tyre gjithë zonat përreth lumin, madje edhe shumë përtej tij, për shkak të kërkimit të arit janë shndërruar në toka të thata, me gropa të mëdha, që kur i sheh të duket se je në Hënë. E ndërsa natyra shkatërrohet me përmasa të jashtëzakonshme e së bashku me të edhe jetët e mijëra njerëzve, etja e arit vazhdon të shtohet e verbër dhe përçmuese. E të njëjtit rrezik është edhe jeta e piratëve të arit në Afrikën e Jugut. Në këtë vend, metali i verdhë ndodhet në nëntokën e Kepit të Shpresës së Mirë. Pusi më i thellë i këtij kompleksi zbret thellë në tokë përgjatë 4 kilometrave. Në thellësitë e mëdha mund të arrijnë vetëm ndërmarrjet e mëdha, të afta që të investojnë miliona dollarë. Por ndodh jo rrallë që kërkuesit klandestinë të arit të arrijnë penetrimin në miniera të tjera dhe me sukses. Ata janë të armatosur. Disa kanë edhe granata të fabrikuara në ndërmarrje artizanale. Ka raste që kërkuesit mund të qëndrojnë një vit të tërë nën tokë duke gërmuar. Në vitin 2007 vdiqën 113 kërkues ari afrikanojugorë. Por ky është vetëm numri i punonjësve të ligjshëm të kompanive që kërkojnë flori, sepse po të flisnim me shifra jozyrtare numri sigurisht që është shumë më i madh.

Historia e arit nis me Aliaten, mbretin e Lidëve. Ata ishin një popull në Azinë e Vogël, në Turqinë e sotme. Vendi ndodhej i rrethuar nga pasuri të mëdha nëntokësore. Në shekullin VI para Krishtit, Aliateni vendosi që t’i jepte arit formën e rrumbullt e të sheshtë, duke sjellë kështu në jetë monedhat e para. Sigurisht që ato nuk kishin formën dhe rregullsinë që kanë sot monedhat, por ishin mënyra e parë universale e pagesave. Sigurisht që bëhej fjalë për një revolucion. Për herë të parë njerëzit zbuluan avantazhet unike të arit: vlerën e tij të qëndrueshme, cilësinë e metalit, lehtësinë e transportimit dhe mbi të gjitha bukurinë e shkëlqimin e rrallë. Metali që ne e quajmë ar ka cilësi shumë të veçanta: është i rëndë, i zhdërvjellët dhe jashtëzakonisht i dendur në të njëjtën kohë. Një gram ar mund të shndërrohet pa asnjë lloj vështirësie në një fill me gjatësi prej 3 kilometrash, ose mund të marrë formën e një flete të sheshtë e të hollë me një sipërfaqe gjysmë metri. Deri tani asnjë metal tjetër nuk ka parametrat e arit si për sa i përket cilësive të brendshme, ashtu edhe atyre të jashtme. Ari, gjithashtu ka një qëndrueshmëri shumë të madhe. Nuk konsumohet dhe i bën ballë çdo acidi. Ari mund të qëndrojë për shekuj me radhë nën ujë pa pësuar asnjë ndryshim thelbësor. Në thellësi të deteve, oqeaneve ka ende sasi të jashtëzakonshme ari nga anijet e mbytura të piratëve, apo “konkuistatorëve” të ndryshëm. Në vendet e zhvilluara ka ndërmarrje e madje edhe korporata të caktuara që merren me gjurmimin e thesareve të humbura, duke vënë në përdorim pajisje nga më të zhvilluarat. Në vitin 1989, amerikani Tomi Thompson arriti të nxjerrë nga Oqeani Atlantik, nga një thellësi prej 2000 metrash arin e një anije të përmbysur shumë vite më parë, vlera e të cilit i kalonte të 1 miliard dollarët. Zbulimi i radhës pritet që të jetë shumë më i madh. Një kompani e madhe nga Florida ka identifikuar në afërsi të Gjibraltarit reliken e “Sussex”, një anije e marinës britanike e cila përfundoi në fund të ujërave pas një furtune të jashtëzakonshme në vitin 1694. Në bordin e saj ndodhej një pjesë e arit me të cilin Anglia, gjatë luftës me Francën, donte që të korruptonte dukën e Savojës për ta nxitur që të sulmonte francezët në befasi. Sot, sipas ekspertëve, ngarkesa në fjalë duhet të vlejë mbi 1 miliard dollarë.