Tuna :Dua ti dhuroj shtate djem Rilindit

Tuna :Dua ti dhuroj shtate djem Rilindit

Takimi me të është gjithmonë interesant, madje edhe këtë herë që u realizua në botën virtuale. Ajo nuk të shkakton ngërçe në komunikim madje mund të them me plot bindje se shkruan rrjedhshëm dhe shumë qartë në gjuhën shqipe… Ndoshta ky fakt lidhet edhe me diplomimin e saj në Fakultetin e Gazetarisë. Në këtë rrëfim ekskluziv të bërë sot për suplementin “Bluetooth” të Gazeta Shqiptare, këngëtarja e sapo celebruar, Altuna Sejdi tregon për ne, prapaskenat e një dasme të magjishme, mërzitjen që i kanë shkaktuar gazetarët si edhe mbi muajin e majltit që e pret së shpejti…
Rrugëtimin në këtë pjesë të tejmbushur me ndjesi në jetën e Tunës, e nisëm me dasmën e saj, nga e cila ajo ka pëjetuar emocione të papërshkrueshme. Çdo sekond i asaj dite përbënte një përrallë me vete për të, dhe Tuna është e gatshme që të japë gjithçka vetëm e vetëm, që ato emocione t’i përjetojë të paktën një herë në çdo vit. Dasma është një event i rrallë në jetën e gjithsecilit, një nga ato ditët që zor se mund të harrohen në jetë… Koha kalon si me magji, dhe forca e kësaj magjie të mbetet gjatë në zemër, në mendje, e në trup… Kështu si me magji ka kaluar koha edhe për Tunën, aq sa ajo madje mendon se nuk e ka shijuar siç duhet çdo moment të asaj dite, pasi edhe hapësira në dispozicion nuk ishte e mjaftueshme, duke qenë se e tërë dita, ju kushtua ceremonive të zakonshme. Por, ngjyrimet emocionale kanë qenë shumë të larmishme atë ditë për këngëtaren… Të qënurit vajzë e vuri atë përballë një tjetër emocioni bombastik, siç është ndarja nga prindërit që ashtu si na pohon edhe vetë Tuna, ky ishte një ndër momentet në të cilat zemra i ka rrahur më fort!
Lajmi për martesën e këngëtares u shoqërua me shumë thashetheme në rrjetin e mediumeve rozë, majde disa prej tyre krijuan edhe një alibi, e cila lidhej më një shtatëzani të mundshme të Tunës… Disa prej tyre shkuan edhe më larg duke e lidhur arsyen e kësaj martese pikërisht me pritjen e një fëmije. Por Tuna, me sensin e humorit që e ka shoqëruar gjithnjë duke mohuar kategorikisht këto thashetheme na tregon se nëse do të kishin qenë të vërteta, ajo duhej të kishte lindur kushedi se sa herë deri tani… Për të këto janë thjesht shpifje dhe nuk dëshiron të bëjë as edhe një koment më shumë në lidhje me to, duke shtuar nga ana tjetër se martesa e saj ishte një vendim i përbashkët dhe i menduar mirë madje. Megjithatë kur e pyetëm në lidhje me numrin e fëmijëve që do të dëshironte të kishte, Altuna sërish nën shoqërinë e humorit na përgjigjet: “Do t’i bëj 7 djem Rilindit…”, një deklaratë kjo, shumë interesante dhe suprizuese.
Çifti simpatik i sapo martuar, që aktualisht banon në kryeqytetin kosovar, Prishtinën, ende nuk e ka kryer muajin e mjaltit. Tuna na thotë se atë e kanë planifikuar për një kohë të dytë, duke qenë se tani të dy, si ajo ashtu edhe Rilindi i janë përkushtuar intensivisht karrierës… Këngëtarja tregon se aktualisht është duke punuar për albumin e saj të ri, përgatitja e të cilit është duke i falur gjithashtu shumë emocione, pasi është duke treguar një kujdes të veçantë për secilin detaj.
Dasma madhështore, që duhej të kishte qenë ngjarja më e bukur në jetën e saj, i shkaktoi jo pak mërzitje këngëtares së njohur maqedonase, Altuna Sejdi. Në fakt, nuk ishte ceremonia ajo që e mërziti Tunën, pasi organizimi i saj ishtë në kufijtë e të përsosurës…. Ato që e ka mërzitur jo pak këngëtaren, janë titujt abuziv nëpër gazetat a revistat rozë. Ndërsa komunikoj me të, kuptoj se shumë prej revistave e gazetave në Kosovë, dhe jo vetëm, e kanë përdorur Tunën, duke e vendosur në kopertinë (për të rritur shitjet sigurisht), edhe atëherë kur ajo nuk ka dhënë asnjë intervistë apo qoftë dhe një prononcim të shkurtër për ta. I tillë është edhe rasti i revistës “Kosovarja”, në kopertinën e së cilës është vënë një foto e Tunës me Rilindin, pavarësisht se as ajo dhe as bashkëshorti nuk kishin dhënë as më të voglin prononcim për ta. Tuna thotë se ka ndërmend të nisë një proces gjyqësor kundrejt tyre, në mënyrë që këngëtaret e tjera që do të celebrojnë dashurinë pas saj, të mos hasen me po të njëjtin problem. Përmes këtij rrëfimi Tuna dëshiron të bëjë të qartë se nuk ka nevojë të jetë në kopertinën e një reviste, në të cilën shkruhet për të, por ndërkohë asjo nuk është vënë fare në dijeni. Fundja Tuna, nuk bën pjesë në grupin e atyre këngëtareve që janë të “etura”, për të qenë në kopertinë… Nga bashkëbisedimi që bëra me të dukej qartë në fakt se vëmendja bombastike e mediave rozë ndaj kësaj ceremonie i ka lënë një shije të keqe këngëtares, aq sa ajo nuk ka më as dëshirë të flas për të, dhe me të drejtë. Ajo edhe mund ta kishte mbajtur sekret, në fund të fundit edhe mund të mos e bënte ASPAK publike dasmën e saj… por e bëri për hir të fansave të saj dhe për respekt të mediumeve. Sipas saj nuk ka aspak kuptim, që pas gjithë këtij sinqeriteti, këtij përkushtimi (dhe në kohë sepse këto intervista kërkojnë jo pak kohë për t’u realizuar), të lexojë në fund shkrime si: “Kolegët e mi nuk më kanë ardhur në dasmë”… Tuna dëshiron të sqarojë sot, se dasmën e saj nuk e bëri për kolegët, por për miqtë e saj, dhe ato “kolegë” që shkuan ishin edhe miq të saj shumë të mirë edhe jashtë skenës…mund të jenë të paktë, po me ta këngëtarja ka një raport tjetër…