Zanfina Ismajli - Unë rebelja që do të bëhem avokate.

Zanfina Ismajli - Unë  rebelja që do të bëhem avokate.

E bukur, joshëse, këngë hite, koreografi provokuese që mbajnë emrin Zanfina Ismajli. Këngëtarja nga Kosova që sapo ka publikuar këngën e saj të fundit “Je vetëm ti” vjen në një rrëfim ndryshe në “Bluetooth”. Ajo tregon për rrugën e saj artistike dhe pikësynimet që i kishte vendosur vetes, kur i hyri rrugës së muzikës; marrëdhëniet e saj me nënën-menaxhere, pikëtakimet dhe ndasitë me motrën e saj Adelina, e ndërsa rrëfen edhe projektet e saj për të ardhmen. Ka mbaruar studimet për drejtësi e në një të ardhme ajo parashikon të vesh kostumin e avokates. Por deri atëherë Zanfina premton se do t’i shërbejë muzikës dhe fansave që e ndjekin dhe vlerësojnë.
Sapo keni promovuar klipin tuaj të fundit, si do ta cilësonit ju atë dhe kush ishin bashkëpunëtorët tuaj në këtë rast?
Për këngën dhe tekstin u përkujdes Flori Mumajesi kompozitori im i preferuar. Ndërsa për klipin një produksion nga Shkupi të cilët idenë time e realizuan shumë mirë dhe ashtu siç kërkova. Mua më pëlqen ngase më paraqet ndryshe dhe tregon shumë mirë ndërrimin tim në stil, i cili u mirëprit sidomos në Kosovë.
Jeni një nga këngëtaret më të pëlqyera të momentit në gjithë hapësirën shqiptare. Si ju bën të ndiheni ky fakt?
Unë ju falenderoj shumë. Jam e vetdijshme që muajve të kaluar kam pasur ngritje në karrierë dhe gëzohem shumë që puna ime po shpërblehet ashtu që më janë shtuar fansat. Në fund të fundit e gjitha kjo bëhet për ta dhe ata japin vlerësimin final.
Ka ndikuar emri i motrës suaj në karrierën tuaj?
E vërtetë se po. Në fillim ka ndikuar më shumë por une me punën e pa ndalur kam aritur që ta krijoj emrin dhe karrierën time, sepse asnjëhere s’jam ndalur pavarësisht fjalëve të mira apo edhe të këqija.
Kur vini në Shqipëri shpesh shoqëroheni nga nëna juaj. Cili është personi në familje me të cilin jeni më shumë të lidhura?
Me nënën jam më së shumti e lidhur dhe pothuajse gjithë kohën jemi bashkë. Ajo është edhe menaxhere e imja dhe këtë punë askush në botë s’do ta bënte më mirë se ajo,sepse askush s’kujdeset për fëmijën më mirë se prindi. Ne jemi bashkë në shtëpi, koncerte, emisione, etj dhe kjo na bën që të jemi më të lidhura se ç’është zakonisht.
Po me Adelinën si janë lidhjet e tua? Duke qenë se është më e madhe se ju është ajo që u këshillon si të veproni apo të dyja jepni dhe merrni mendime nga njëra-tjetra?
Këshillohemi, por në fund të dyjat punojmë ashtu siç na thotë koka jonë. Pa këshillat e saj kjo rrugë do të ishte edhe më e vështirë, por njeriu i kupton disa gjëra vetem pasi i provon në lëkurën e vet.
Çfarë është për ju skena shqiptare?
Për momentin është goxha e paqartë. Ka numër të madh të këngëtarëve ka edhe prej atyre që bëjnë vetëm një këngë dhe klip dhe ndalen kur e shohin se s’është ashtu siç kanë menduar. Ka të tillë që për qëllimet e tyre edhe do vrisnin, si dhe ajo kategoria që e duan shumë këtë profesion dhe s’ndalen së punuari derisa t’i arrijnë qëllimet.
Sa e rëndësishme është performanca për ju në një këngë?
Në ditët e sotme ka shumë rëndësi, ndoshta pse s’ka shumë këngë hite. Por një këngë pa klip dhe kooreografi në ditët e sotme është e paimagjinueshme. Nuk është receta vetëm të bëhet një këngë. Duhet ta kesh edhe stilin e mirë, performimin, klipin e mirë.
Cilën nga artistët e Shqipërisë vlerësoni më shumë?
Flori Mumajesin pa dyshim. Ai është ndër të vetmit që është aq i ri, i suksesshëm dhe i talentuar njëkohësisht. Krijon shumë hite për një vit dhe sërish mbetet i njëjti që ishte para shumë vitesh.
Po nga ata në Kosovë?
Në Kosovë ka shumë, së pari motrën Adelinën pastaj shumë të tjerë që kanë karriera të gjata dhe të pastra në kuptimin me këngë autentike dhe ata vlejnë të quhen artistë të merituar.
Mund të na rrëfesh për një nga koncertet që ka qenë më emocioniues për ty?
Koncerte ka shumë ato më interesante ndodhin në diasporë, sepse peripecitë që ndodhin gjatë rrugës gjithmonë mbeten në kujtime. Për mua gjithë secila ka momente emocionuese prandaj s’do të ndaja asnjë.
Ndërsa në këngë herë-herë shfaqeni edhe rebele, mund të na thoni se çfarë natyre është Zanfina? Si e përshkruani ju veten?
Unë jam në përgjithësi më e qetë, por edhe rebele-siç më quajtët. Tani jam në një fazë rebelimi që po vërehet pak edhe në profesion. Por dikur duhej të bëja atë që mendoj se është 100% karakteri im.
Ju keni studiuar për drejtësi. Sa pranë dhe larg këto dy profesione. Ku e shihni veten në të ardhmen?
Pas shumë vitesh besoj se do të jem një avokate dhe do punoj atë profesion. Ndërsa këngën e kam në shpirt dhe ka kohë derisa të vendos të merrem me avokaturë.
Si është një ditë e juaja?
Kur s’kam obligime rreth profesionit atëherë jam me familjen apo shoqërinë duke pirë kafe, apo duke shikuar ndonjë film. Ndërsa kur ka të bëjë me promovimin e ndonjë klipi atëherë të shumtën e kohës jam në televizione duke dhënë intervista, apo edhe në gazeta.
Cili është vendi juaj ideal për të pushuar?
Spanja më pëlqen shumë dhe do doja sërish të pushoja atje për një kohë më të gjatë.
Përveç këngës cilat janë hobet e tjera të tua?
Kam shoqet e mia me të cilat jam të shumtën e kohës. Kur jam në shtëpi bëj skica për rrobat e ndonjë klipi, ide për klipe, për këngë, etj.
Çështë dashuria për ju?
Dashuria është arsyeja më e fortë e jetës.
Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?
Një këngë tjetër për të cilën do filloj të punoj shumë shpejt. Pasi të kryej promovimin e këtij klipi.
Çfarë piksynimi ka Zanfina në karrierë?
Të arrij atë që ia kam vënë vetes si qëllim shumë vite më herët. Nuk jam shumë larg saj. Dua që njerëzit të më mbajnë mend për këngë të bukura, paraqitje të mira dhe stil unik.