Dy persona me thike i grabisin shtate mije euro nje kosovari

Dy persona me thike i grabisin shtate mije euro nje kosovari

Punonjësi i një firme private kosovare ka rënë pre e një vjedhjeje me dhunë në mes të Tiranës, ku i kanë marrë shtatë mijë euro. Vjedhja e ndodhur mbetet e dyshimtë për policinë, megjithëse janë shoqëruar dhjetë persona dhe ende nuk është identifikuar autori i dyshuar i saj. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në kryeqytet dhe menjëherë i dëmtuari ka njoftuar shërbimet e policisë. Sipas të dhënave hetimore, Fatmir Binaku nga Kosova, punonjës i një firme private, ka telefonuar në sallën operative dhe ka deklaruar se te Selvia e kanë vjedhur nën kërcënimin e një thike. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 4, të cilët kanë marrë kontakt me të dëmtuarin. Ai ka deklaruar se dy persona të veshur me xhinse e bluza të bardha e kishin kapur te rruga që të nxjerr te tregu, pranë Selvisë. Ata i kishin vënë një thikë në fyt dhe i kishin kërkuar paratë, duke i marrë shtatë mijë euro. Sipas tij, sapo ishte ngritur nga një lokal dhe do të shkonte te një hotel që ndodhet në qendër të Tiranës. Të gjitha këto i ka deklaruar edhe në kallëzimin e bërë pranë oficerit të policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Nr. 4. Menjëherë shërbimet e policisë kanë kryer një sërë shoqërimesh, duke u bazuar në të dhënat e mbledhura, por asnjë prej tyre nuk ka rezultuar të jetë autori i ngjarjes. Mëngjesin e së nesërmes, shtetasi kosovar është paraqitur sërish në polici, duke deklaruar se para se të ndodhte vjedhja me dhunë, ai kishte qenë me dy shqiptarë të tjerë nga Kosova, ku një prej tyre ishte edhe pronari i tij. Më tej, ai është shprehur se i duhej një vërtetim se kishte denoncuar humbjen e parave, pasi ishin të shefit të tij. Por, nuk ka ditur si ta argumentojë shkakun, sepse nuk ia kishte dhënë paratë shefit para ngjarjes, pasi ai pretendonte se do ia jepte në mëngjes. Kjo ka sjellë dyshime te policia, se mund të jetë kallëzim i rremë, megjithëse materialet ia ka referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme.