Lind jeta e pare artificiale

Lind jeta e pare artificiale

Craig Venter dhe Hamilton Smith më në fund ia kanë dalë mbanë. Arritja e tyre epokale është: krijimi i jetës në kushtet laboratorike. Dy biologët amerikanë, të cilët duke filluar nga viti 1995 e deri në vitin 2000 fillimisht zbuluan përbërjen e ADN-së dhe më pas bënë edhe “hartën” e gjenit njerëzor, më në fund krijuan edhe një bakter artificial, që ka një gjen artificial dhe që arrin të riprodhohet. Kjo arritje është botuar dje në median e specializuar. Njëri nga shkencëtarët, Craig Venter, ka thënë paraprakisht: “Kemi projektuar, sintetizuar dhe bërë bashkë qelizat që janë në gjendje të riprodhohen”. Ky zbulim është pa dyshim i jashtëzakonshëm, magjepsës, por në të njëjtën kohë edhe burim shqetësimi për sa i përket përdorimit të këtij zbulimi dhe sigurisht çështjeve të etikës.

Qeliza e parë sintetike është quajtur “mycoplasma mycoides JCVI-syn1.0”. Duket natyrore në vetvete, por tërësisht e kontrolluar nga një ADN artificiale. Kjo arritje është realizuar përmes një pune që është zhvilluar në kufijtë e së pamundurës dhe protagonistë të zbulimit kanë qenë dy bakteret që janë përdorur gjithmonë nga Venter në rrugëtimin e tij shkencor drejt zbulimit të jetës artificiale mycoplasma mycoides dhe mycoplasma capricolum. Në vitin 2007, shkencëtari ia kishte dalë mbanë që të arrinte krijimin e ADN-së së parë sintetike, duke riprodhuar në mënyrë artificiale mycoplasmën mycoides; në vitin 2009 kreu transplantin e parë të ADN-së, duke transferuar gjenin natyror të mycoplasma mycoides te mycoplasma capricolum. Ajo që ka ndodhur tani është bërja bashkë e të dyja procedurave të sipërpërmendura, duke ngarkuar ADN-në sintetike te qeliza si të ishte një program kompjuteri në një qelizë bakteriale që nuk ka ADN. Cili do të jetë hapi pasardhës? Krijimi i mycoplasma laboratorium, një bakter tërësisht i ndërtuar sipas përmasave dhe të dhënave paraprake, qëllimi i së cilës është kryerja e detyrave të caktuara. Ky do të jetë një organizëm i ndryshëm nga çdo lloj tjetër organizmi që ekziston aktualisht në natyrë. Sipas Venter, tani është e mundur që të krijohet një botë e tërë duke u nisur nga bakteret sintetike (dhe si pasojë krijimi i kafshëve dhe bimëve të reja), që paraprakisht do të realizohen me kompjuter dhe më pas edhe në realitet. Dhe arma e fshehtë e këtij shkencëtari ka qenë gjithmonë kompjuteri. Inteligjenca artificiale e krijuar për realizimin e jetës artificiale. Në këtë mënyrë ka nisur epoka e biologjisë sintetike, një epokë gjatë së cilës do të shkruhen kode të tërë gjenetikë për të krijuar makinat metabolike të specializuara. Laboratorët më të specializuar të botës kanë nisur tashmë punën për krijimin e sintetizatorëve shumë të shpejtë të ADN-së, të aftë për të prodhuar sekuenca të gjata materiali gjenetik që nisin nga prodhimi i të ashtuquajturve “tulla” kimike të jetës si “sheqernat”, të krijuar nga azoti dhe fosfati. Ky është një revolucion i vërtetë që do të rihartojë kufijtë ndërmjet biologjikes dhe artificiales dhe që ndoshta do të ndryshojë edhe vetë konceptin e jetës. Sipas një biologu molekular, ajo që ka ndryshuar një arritje të tillë është thelbi i marrëdhënies së njeriut me natyrën. Kur arriti të përfundonte zbulimin, Venter u tha bashkëpunëtorëve të tij se ishte shumë i emocionuar që pas shumë vitesh pune dhe përpjekjesh ia kishte dalë të prodhonte qelizën e parë sintetike. Gjeni artificial u realizua përmes informacioneve të përpunuara në një kompjuter, përmes përdorimit të disa substancave kimike dhe një sintetizatori të ADN-së. Gjeni përbëhet nga thuajse 1 milion germa. Gjeni njerëzor përbëhet nga 3.2 miliardë dhe ka një ngjashmëri shumë të madhe me ADN-në natyrore, përfshi mutacionet e përftuara gjatë procesit të asemblimit. Dallimin mes gjenit artificial dhe atij natyror e bën vetëm një fill shumë i hollë molekular. Ky gjen i vendosur brenda një bakteri që nuk kishte ADN, nisi të shumëfishohej, duke krijuar koloni të tëra qelizash me “zemra” artificiale. Po tani? Çfarë kërkon që të bëjë më tej Venter? “Forma jete të gjalla të krijuara tërësisht artificialisht, pra në laborator, të programuara për kryerjen e funksioneve specifike”. Këto mund të jenë baktere që i shërbejnë përmirësimit të cilësisë së mjedisit ku jetojmë, për të fabrikuar biokarburante, apo edhe për shumë funksione të tjera deri te bakteret që prodhojnë vaksinat. Sipas Venter, bëhet fjalë për një zhvillim shkencor dhe filozofik. Që sot ka ndryshuar tërësisht këndvështrimi në lidhje me përkufizimin e jetës. Por sigurisht para se të arrihet krijimi i formave të jetës në një kompjuter do të duhet ende edhe shumë kohë dhe shumë kërkime të tjera shkencore, por ajo çka është e rëndësishme, është se herët a vonë kjo pjesë e biologjisë, që në fakt i ka përkitur më shumë fantashkencës, do të bëhet realitet. Dikur për të dekoduar një fragment gjenetik duheshin vite të tëra pune dhe miliona dollarë, ndërsa sot ky proces realizohet brenda pak ditësh dhe me një sasi parash shumë modeste. E ndërsa shkenca ka thyer së fundi një tabu shumë të madhe, po kisha çfarë thotë? “Presim të mësojmë më shumë”, ka qenë një nga komentet e Vatikanit.

Fantashkenca

Librat, filmat, serialet televizive…

Për jetë artificiale është shkruar shumë më përpara se të shpikej vetë gjeni. Në vitin 1931, shkrimtari Aldous Huxley shkroi librin “Bota e re”, në të cilin imagjinohej krijimi i një industrie të tërë të jetës, ekzistenca e fabrikave që do të prodhonin embrione dhe një shoqëri që ishte ndarë në kasta. Në atë kohë, 22 vjet para shpikjes së ADN-së, askush nuk do të imagjinonte se sa shpejt fantazia do të shndërrohej në realitet. Dhe kjo rrugë e shpejtë drejt këtij realizimi nisi në vitin 1953, kur Watson dhe Cricm i shpjeguan botës mbarë misteret e elikës së dyfishtë që ndodhet në bazë të jetës. Ky zbulim shkaktoi një prodhimtari shumë të madhe librash, filmash e serialesh fantastiko-shkencorë. Madje zbulimi i gjenit krijoi një zhanër më vete në art e letërsi, zhanër që merrej vetëm me fantazinë e krijimit të jetës artificiale. Mund të përmendim këtu autorë të tillë si H.G. Wells me “Ishulli i doktor Monrosë”, filma si “Jurasic Park”, apo telefilma si “Star Trek”. Bota që pasqyrohet në këto filma, ajo e krijimit të jetëve dhe individëve me materiale gjenetike artificiale deri pak kohë më parë ngjante vërtet një fantashkencë, por që dje ajo ka ndryshuar plotësisht dhe sigurisht që me këtë rast do të ndryshojë edhe vetë zhanri me fantazi edhe më të guximshme, të cilat me siguri një ditë do të shndërrohen në realitet.

Shkenca

Intervistë me Craig Venter, shkencëtarin që e akuzojnë se kërkon të luajë Zotin

Ku ndodhet aktualisht bakteri artificial? Në ndonjë vend të sigurt dhe të mbrojtur?

Po, ndodhet në laboratorët tanë dhe është tërësisht nën kontroll. Është një bakter që nuk mbijeton dot i vetëm dhe që për ta bërë një gjë të tillë ka nevojë për një koktej substancash ushqyese, të cilat ia japim rregullisht.

Përse zgjodhët pikërisht një bakter të tillë?

Fillimisht e nisëm punën me një tjetër specie, mycoplasma genitalium. Është qenia me ADN-në më të vogël që ekziston në botë. Më pas e kuptuam se nuk kishte shumë rëndësi përmasa e ADN-së dhe as bërja bashkë e gjeneve. Çështja ishte aktivizimi i tyre. Dhe në këtë pikë të studimit ndryshuam edhe bakterin.

Cilat mjete laboratorike keni përdorur?

Një program kompjuterik për të analizuar gjenin dhe një aparat për të sintetizuar gjenin artificial, sepse deri në atë kohë arrinim të bënim bashkë vetëm copëza të vogla gjenetike.

Ju po merreni me këto eksperimente që prej 20 vitesh. Si mendoni se pas kësaj edhe sa kohë do të kalojë para krijimit të formave të tjera të jetës artificiale?

Tani që kemi arritur në këtë pikë gjithçka do të jetë më e lehtë dhe brenda një kohe më të shkurtër. Ajo që duam të bëjmë tani është të kalojmë nga bakteri tek algat. Ky sintetizim do të na hajë pak kohë, por do të realizohet gjithsesi shumë shpejt.

Feja

Intervistë me teologun Bruno Forte, arkipeshkv i Chiesti-Vasto

Çfarë mendoni për zbulimin e fundit?

Gjëja e parë që ndiej është admirimi për aftësinë e inteligjencës njerëzore, që në këtë rast shprehet në mënyrë të jashtëzakonshme.

Po, por ka nga ata që thonë se shkencëtari Venter arriti të krijojë jetën dhe tashmë jeta nuk përbën një mister dhe si pasojë Zoti është i padobishëm?

Shikoni, në këtë rast kur përdorim fjalën “krijuar”, ky term ka të bëjë me përdorimin e zakonshëm, jo atë fetar. Kuptimi teologjik është krejt tjetër gjë. Krijimi është ai që vjen nga hiçi, pra creatio ex nihilo dhe këtë lloj krijimi njeriu nuk e bën dot. Ai niset gjithsesi nga një gjë që ekziston dhe përmes inteligjencës së tij prodhon diçka tjetër. Është një plan tërësisht i ndryshëm. Ne ushtrojmë inteligjencën tonë në një botë tashmë të krijuar. Rezultati i arritur është i ri, por lënda e parë ekziston. Nuk ka pra si pasojë asnjë lloj krijimi nga hiçi.

A ka rreziqe kjo gjë?

Shqetësimi përmblidhet në një pyetje të vetme: ajo që është shkencërisht e mundshme, a është gjithmonë edhe e drejtë nga pikëpamja etike? Vetë Venter duke folur për rëndësinë filozofike të zbulimit të tij nuk e përjashton një pyetje të tillë.

Dhe cila është përgjigjja?

Ka një parametër që bën bashkë gjithçka e jo vetëm të krishterët: dinjiteti i njeriut. Nëse ky zbulim do të përdoret siç thuhet për të përmirësuar jetën në aspekte të ndryshme të saj, atëherë zbulimi do të jetë me vlerë.

Po a ka rrezik të keqpërdoret?

Epo sigurisht, vetëm se kjo besoj se është ende në kuadrin e fantastiko-shkencores. Në një rast të tillë, pra kur do të vihej në dyshim dinjiteti njerëzor, atëherë zbulimi do të ishte fatkeqësi.