“Noma”, restoranti me i mire ne bote

“Noma”, restoranti me i mire ne bote

Cili është restoranti më i mirë në botë? Pas katër vjetësh, Ferran Adria bie nga froni, duke ia lënë vendin “Noma”-s së kuzhinierit Rene Redzepit në Kopenhagen. Vendi ku hahet më mirë? Mund të zgjidhni mes Spanjës me katër restorante në nëntë vendet e para dhe SHBA-së me tetë restorante mes 50 më të mirë në planet. Pas nuk ngelet edhe Italia e njohur në botë për makaronat dhe kuzhinën e saj të shijshme. Restoranti “Osteria Franceskana” në Modena me shef kuzhine Massion Bottua, renditet në vendin e gjashtë, vendi më i mirë për një restorant italian që kur ka nisur shpërndarja e këtij çmimi. Po restoranti më i mirë francez? “Chateaubriand” në Paris, bistrot i Inaki Izitarte që pozicionohet i 11, restoranti i Pierre Gaganaire i 12, “Astrance” i Pascal Barbot i 16, “Atelier” i Joel Robuchoin i 29 dhe Alain Ducasse në hotel “Plaza Athenne” i 41. Çmimi për karrierën iu dha austriakut Eckart Wizigmann, ndërsa çmimi për pikët më të larta Daniel Boulud të Nju Jorkut. Nuk mungojnë surprizat në klasifikimin e “S. Pelligrino World’s 50 Best Restaurants 2010”, të prezantuar një natë më parë në Londër. E realizuar nga revista “Restaurant magazine”, por financuar nga “San Pellegrino”, klasifikimi që vetëpërcaktohet si “guida më e mirë dhe më e besueshme e vendeve më të mira për të ngrënë në të gjithë botën” ka arritur të fitojë në vitet e fundit një besueshmëri dhe vëmendje mediatike të paparë. Por, ndërkohë, është ndeshur edhe me kritika të vazhdueshme për sa i përket besueshmërisë, pikërisht për shkak të mekanizmit, sipas të cilit bëhet klasifikimi. Juria përbëhet nga 800 anëtarë, të gjithë kuzhinierë, administratorë restorantesh, gazetarë dhe kritikë nga çdo vend i botës të ndarë në 26 nënjuri sipas zonës gjeografike dhe secili prej tyre mund të japë pesë vota, nga të cilat tri për restorantet e vendit të tyre. Por, nga njëra anë anëtarët e jurisë nuk janë të detyruar të tregojnë se e kanë vizituar restorantin të cilit i japin votën, ndërkaq edhe “korrupsioni” brenda tyre për të votuar një subjekt të caktuar shpesh është bërë objekt kritikash. Përndryshe nuk mund të shpjegohen vende të larta në klasifikim për restorante dhe kuzhinierë të caktuar.
“Noma”, më i miri në botë

Një udhëtim në Danimarkë nuk do të na shërbejë vetëm për të vizituar bukurinë magjepsëse të Kopenhagenit, por edhe për të provuar darkën apo drekën më të mirë në botë, sipas klasifikimit të stiluar nga “San Pellegrino”, ku shefi i kuzhinës, 32-vjeçari Rene Redzepi, ofron pjata që nuk është e lehtë t’i heqësh nga mendja. Për të thonë se është një nga “shefat” e skenës gastronomike ndërkombëtare, gjeniu që i dha formë kuzhinës nordike. Si shef kuzhine dhe pronar i restorantit “Noma”, i vendosur në Portin e Kopenhagenit në Danimarkë, që u rendit i pari në botë për nga ushqimi që ofron, e ka krijuar stilin e tij duke ofruar një përzierje mes kuzhinës nordike dhe asaj ballkanike, por sigurisht duke u bazuar edhe te specialitetet vendase dhe ushqimet bio. Sipas sajtit “Star Chief”, karriera e tij ka nisur kështu: Në vitin 1993 ka nisur të punojë në restorantin “Pierre Andre” në Kopenhagen. Para se të hapte “Noma”-n dhjetë vjet më vonë më 2003-shin, Redzepi ka punuar në restorantin “Le Jardin Des Sens” të Montpellier, në Francë tek “El Bulli” i Ferran Adrià’s në Spanjë, te “The French Laundry” i Thomas Keller dhe së fundmi te “Thomas Rode Andersen”, një tjetër restorant i famshëm në Kopenhagen. Që kur është hapur “Noma”, Redzepi dhe restoranti i tij janë vlerësuar shumë herë me çmime të ndryshme. Ai u shpall restoranti më i mirë danez në vitin 2005 sipas guidave lokale, ndërsa në vitin 2007 u rendit i 15 në klasifikimin e 50 restoranteve më të mira të planetit sipas

“Restaurant Magazine”, ndërsa Redzepi u vlerësua si kuzhinieri më i mirë në kongresin e kuzhinës “Identita Golose”. “Noma” e ka marrë yllin e parë në vitin 2005 dhe të dytin në 2007. Por cilat janë sekretet e kuzhinës së Redzepi-t?

Sipas “Restaurant Magazine”: “‘Noma’ është një homazh i tokës dhe detit, një kujtesë për rrënjët e ushqimeve tona. Për shembull merrni antipastën me karota krokante të ardhura nga Lammefjorden, një rajon pjellor danez, që Redzepi e realizon duke përdorur mjaltë, lajthi e birra dhe zbukuruar me një krem të bërë me rukola dhe spinaq. Teksa e shijon të duket sikur je duke ngrënë vetë tokën”. Restorantet janë një kombinim i kuzhinës së rafinuar, ideve inovative dhe respektit për ingredientët. “Noma” është më shumë se kaq. Është një eksperiencë që të kujton arsyen se përse disa restorante duhen bërë idhuj”. Ja seç shkruan Alessandra Meldolesi, një kritike e njohur për artikujt mbi kuzhinën: “Është një kuzhinë interesante ajo e Rene Redzepi-t, bazuar në ingredientë natyrorë dhe të sezonit, duke u përqendruar te thjeshtësia dhe natyra. Ekstravagante, të çuditshme dhe të kushtueshme. Janë menytë që nga viti në vit shefat e kuzhinës më të famshëm në botë eksperimentojnë në restorantet e tyre për të joshur klientët dhe kërkesat që ata kanë. Këtë gjë bën shpesh edhe Rene, i cili nuk dëshiron që asnjë klient të mos thotë në fund: “Nuk do ta harroj kurrë atë që hëngra sot këtu. Ishte një mrekulli. Faleminderit Rene!”.