Njeriu qe kerkon te flase me jashtetokesoret

Njeriu qe kerkon te flase me jashtetokesoret

Nëse një ditë jashtëtokësorët do të kontaktojnë me ne, ky njeri do të jetë i pari që do ta marrë vesh. Paul Davies drejton njësinë operative SETI, një institut kërkimi mbi format e evoluuara të jetës së jashtëtokësorëve. Grupi përbëhet nga disa prej shkencëtarëve më të mirë në botë dhe kur të vijë dita e madhe, do të këtë detyrën t’i japë mirëseardhjen jashtëtokësorëve. Kjo është një përgjegjësi e madhe për Davies. “Imagjino një qytetërim më të evoluar se i yni, që dëshiron të komunikojë me ne dhe të marrë pjesë në zhvillimin tonë. Informacionet që do t’u japim duhet të reflektojnë aspiratat dhe idealet më të larta të qenieve njerëzore dhe nuk duhet të jenë opinione politike apo fetare”. Për këtë, Davies shpreson të jetë i pari që të komunikojë me jashtëtokësorët.

Diçka serioze
Kush është Paul Davies? Si arriti të punojë në fushën e marrëdhënieve me jashtëtokësorët? Cili do të jetë mesazhi i tij për jashtëtokësorët. E gjithë kjo histori ka nisur 40 vjet më parë. Në prill të vitit 1960, astronomi Frank Drake vendosi të hedhë poshtë të gjitha legjendat urbane dhe lajmërimet për UFO-t dhe ta trajtonte këtë argument me më shumë seriozitet. Atëherë formuloi një ekuacion matematik, për të përcaktuar numrin e qytetërimeve të evoluuara të pranishëm në galaktikën tonë. Drake, sipas llogaritjes, tha se ishin 10 mijë. I befasuar nga ky zbulim dhe i bindur se disa jashtëtokësorë do të kërkonin të na dërgonin mesazhe radioje, mori hua antenën e observatorit kombëtar radio-astronomik të West Virginias, e drejtoi drejt yllit Tau Ceti, e ndezi, por nuk ndodhi asgjë. Vetëm një fërshëllimë konstante. “Asnjë sinjal”, tha Drake në atë kohë. Pavarësisht “dështimit” të kësaj nisme, lindi SETI ose ndryshe “Search for Extraterrestrial Intelligence”. Drake merrte financime nga qeveria e SHBA-së dhe krijoi një institut në Kaliforni me një grup shkencëtarësh, të cilët kishin të njëjtat ide me të. Në pjesën më të madhe të viteve ‘70, tregon Paul Davies, në librin e tij “Një heshtje misterioze”, “shqetësimi më i madh i kërkuesve të SETI-t ka qenë të vendosnin se cila ishte frekuenca e zgjedhur nga jashtëtokësorët, nga momenti që ekzistojnë miliona mundësi. Shpresonin që jashtëtokësorët kishin përshtatur sinjalet e tyre me planetë si Toka”. Por ende nuk e kanë bërë. Në vitet ‘70 pati një përçarje brenda vetë SETI-t, sepse disa mendonin se jashtëtokësorët përdornin laser dhe jo sinjale radioje. Lindi kështu projekti “Optimal SETI”, por edhe ai nuk arriti të kapte asnjë sinjal. Kohët e fundit, Drake ishte në Londër, për të informuar anëtarët e “Royal security” mbi zhvillimet e fundit. Lajmi i mirë është se me ndihmën e disa filantropëve si bashkëthemeluesi i “Microsoft”, Paul Allen, SETI nuk ka pasur kurrë më parë kaq shumë burime në dispozicion. Ndërkaq, mund të bazohet te fuqia e madhe e llogaritjes, falë projektit të llogaritjes “SETI@Home”, që përdor kompjuterët të lidhur me internet, për të analizuar të dhënat e mbledhura nga radioteleskopët. Lajmi i keq është se deri tani nuk është kapur asnjë sinjal. Nëse shumë mendojnë se ata që punojnë tek SETI shkojnë çdo ditë në punë, në orën shtatë dhe kthehen në mbrëmje pa asnjë rezultat, është zhgënjyese, Davies thotë: “Ata që punojnë aty janë shumë të qetë dhe të vendosur. Ka hipoteza që duhen vërtetuar, ne po punojmë për këtë”. Shkencëtarët e SETI-t i mbushin ditët e tyre duke shkruar edhe një sërë protokollesh që duhen ndjekur në ditën që do të marrin ndonjë sinjal nga hapësira. Protokolli, në këtë rast, nuk parashikon të lajmërohen mjetet e informacionit apo qeveria, por drejtori i kësaj njësie Paul Davies. Davies është një fizikan me origjinë britanike, kozmolog, ezobiolog, i cili jep mësim në Universitetin Shtetëror të Arizonës. Shëtit nëpër botë, duke mbajtur konferenca në Vatikan, në Davos dhe Kombet e Bashkuara. I ka vënë emrin e tij një asteroidi që tani quhet “Pauldaviesasteroid”. Është një shkencëtar shumë i zoti dhe një njeri inteligjent. Sipas tij, ka shumë mundësi që jashtëtokësorët të dinë për ekzistencën tonë, por në një distancë prej mijëra vitesh dritë larg, na shohin ashtu siç ishim mijëra vjet më parë, njerëz aspak të zhvilluar, dhe nuk do të na dërgojnë mesazhe derisa të sigurohen se kemi zhvilluar teknologjinë radio. Pyetjes se shumë besojnë se janë rrëmbyer nga jashtëtokësorët, Davies i përgjigjet shkurt: “Gënjejnë”. Në fakt, duket që Davies nuk ka shumë besim te qeniet njerëzore. Por te jashtëtokësorët po. Fytyra e tij ndriçon kur provon të imagjinojë aspektin e tyre. Ndoshta sepse duke kaluar pjesën më të madhe të jetës me persona më pak inteligjentë se ai, mendon se jashtëtokësorët janë shpresa e tij e fundit për të gjetur dikë të të njëjtit nivel intelektual.

Sekrete dhe përgjegjësi
SETI është krijuar në vitin 1996. Përbëhet nga 30 shkencëtarë, antropologë dhe inxhinierë. Davies është drejtor që prej vitit 2008, por deri tani ka zhvilluar vetëm një mbledhje. Shpreson të zhvillojë një të dytë këtë vit në Pragë, për të azhurnuar deklaratën e parimeve. Çfarë do të ndodhë kur të merret sinjali i parë nga jashtëtokësorët? “Do të ketë një verifikim të pavarur, diçka shumë të rëndësishme. Por pasi të bëhet verifikimi, për mendimin tim, rezultatet duhet të mbeten sekrete derisa komuniteti shkencor të verifikojë se për çfarë bëhet fjalë”. Por edhe në këtë rast, është pak e vështirë, sepse i bie që të deklarohet se jashtëtokësorët kanë dërguar mesazhe, por ne nuk duam ta tregojmë se nga ku? “Pikërisht”, përgjigjet Davies. Sipas tij, zgjedhja më e kujdesshme do të jetë krijimi i një lloj parlamenti shkencor të njëjtë me organizmin që merret me eksplorimet shkencore në Antarktidë. Në fund, kur e pyesim se a duhet të jemi të emocionuar nga sinjalet që do marrin, thotë: “Kjo e jona është një punë fantastike dhe impenjative. Na detyron të mendojmë për gjithçka. Çfarë është jeta? Çfarë është inteligjenca?”. Pastaj bën një pauzë dhe pasi vesh xhaketën, përfundon: “Mes të tjerave është vërtet shumë bukur të merresh me ta”.